Që nga viti 1992, Kombet e Bashkuara, 3 Dhjetorin e kanë shpallur si Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara e cila shënohet në mbarë botën. Tema e këtij viti që do të përfshihet në këtë ditë, është “Fuqizimi i personave me aftësi të kufizuara dhe sigurimi i përfshirjes dhe barazisë”.
Ditëa Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, shënohet edhe në Kosovë dhe pikërisht për këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi, kordinatorin e Hendikos-it, Durim Gashi, i cili tha se Hendikos-i që nga themelimi ka qenë çdo herë në shërbim të personave me aftësi të kufizuara:
“Hendikos synon të bëjë fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara përmes ofrimit të shërbimeve sociale si dhe avokimit për zbatueshmërinë e të drejtave njerëzorë të cilat u takojnë. Edhe këtë vit Hendikos ka organizuar konferencën Fuqizimi i Personave me Aftësi të Kufizuara, Sigurimi i Përfshirjes dhe Barazisë, e cila është shoqëruar edhe me një video-animacion i cili ka për synim të ngrit vetëdijen e shoqërisë kosovare për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Përveç kësaj, personat me aftësi të kufizuara, të rriturit dhe fëmijët kanë përgatitur disa piktura dhe punime të dorës të cilat do të ekspozohen pas konferencës, ku qëllimi i saj është që t’i tregojnë shoqërisë që personat me aftësi të kufizuar kanë aftësi, por ne duhet t’iu ofrojmë kushte të përshtatshme që aftësitë e tyre t’i qesin në pah.”
Me rasitin e shënimit të 3 Dhjetorit- Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, punimet e personave me aftësi të kufizuara do të jenë të ekspozuara në hollin e Hendikosit, ku do të qëndrojnë aty për një javë rresht.