Edukimi është pasaporta e të ardhmes, pasiqë e nesërmja u takon atyre që sot janë përgatitur për të.
Fraza të tillë përshkruajnë më së miri rëndësinë e edukimit në një shoqëri. E kur flasim për edukimin, të parët që na vijnë ndërmend janë studentët, të cilët sot shënojnë Ditën Botërore të tyre.
Dita Botërore e Studentëve është një festë e diversitetit, e kulturave të ndryshme dhe e bashkëpunimit midis studentëve në të gjithë globin.
Për të folur për rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i ka kontaktuar dy studente të Nivelit Master në Fakultetin e Edukimit, Mësimdhënie Lëndore, me Specializim në Biologji, Dorentinën dhe Rajmondën, të cilat kanë përçuar porosi të ndryshme për të rinjtë që aktualisht janë duke vijuar studimet:
“Jam Dorentina Aliu. Studimet janë shumë të rëndësishme për mua si individ dhe si mundësi e mirë për punësim. Në fund, kam një porosi për të gjithë studentët që të mos dorëzohen në përmbushjen e synimeve të tyre dhe ushtrimin e profesionit për të cilin ata janë duke i kryer studimet dhe jo vetëm”.
“Unë jam Rajmonda Thaçi dhe kam një mesazh për të gjithë studentët e rinj që të mos dorëzohen në rrugën e tyre drejt dijes, sepse studimet janë mjeti më i fortë për të arritur nivelin më të lartë të njohurive profesionale. Studimet të ndihmojnë që të përgatitesh për sfidat e reja të jetës, të ndihmojnë në arritjen e njohurive të reja si dhe të ndihmojnë në formimin e personalitetit tuaj.”
Kombet e Bashkuara e kanë shpallur 15 tetorin si Ditën Botërore të Studentëve në vitin 2010, në datën e lindjes së ish-presidentit të Indisë, Abdul Kalam, për shkak të dashurisë së madhe për studentët që kishte ai dhe përqendrimit në promovimin e arsimit. Porosia e Kalamit për studentët ishte “Ju duhet të ëndërroni, para se ëndrrat tuaja të bëhen realitet”.